Çfarë është kjo gjendje dhe pse kërkon konsultim neurokirurgjikal urgjent?
-Hematoma subdurale është gjendja serioze në të cilën gjaku grumbullohet midis kafkës dhe trurit, konkretisht nën mbështjellësin e fortë të trurit (dura mater). Mund të jetë një lloj lëndimi jotraumatik ose traumatik i trurit që mund të jetë i rrezikshëm për jetën dhe kërkon ndihmë të menjëhershme mjekësore.

Shkaqet
- Shkaku më i zakonshëm është goditja në kokë (rënia, aksidenti me makinë, lëndimi sportiv ose sulmi fizik).
Faktorët që rrisin rrezikun:
- Mosha: Te personat mbi 65 vjeç, truri tkurret pak (atrophy), gjë që i bën venat e vogla të shtrihen dhe të lehta për t’u shpërthyer, *këputja e venave lidhëse → gjakderdhja në hapësirën subdurale
- Ilaçet: Përdorimi i antikoagulantëve (ilaçe për hollimin e gjakut).
- Alkoolizmi: Pirja kronike e dëmton mëlçinë, gjë që e parandalon mpiksjen normale të gjakut.
- Sëmundjet: Për shembull, hemofilia.
Simptomat për të cilat duhet të keni kujdes
– Kokëdhimbja, përgjumja, konfuzioni
– Dobësia ose mpirja në njërën anë të trupit
– Problemet me të folurin, shikimin ose humbjen e vetëdijes
– Sulmet (konvulsionet)
Llojet e hematomës subdurale
I dallojmë llojet sipas shpejtësisë së paraqitjes së simptomave:
Akut: Lloji më i rrezikshëm. Simptomat paraqiten menjëherë pas lëndimit (nga minutat deri në orët). Presioni në tru rritet me shpejtësi. Akut: deri në 72 orë pas lëndimit; rreziku i lartë i kompresimit masiv të trurit.
Subakut: Simptomat paraqiten me vonesë prej disa ditësh deri në javë pas lëndimit. Subakut 3-21 ditë.
Kronik: Më i zakonshëm te pacientët e moshuar. Gjakderdhja është e ngadalshme, ndërsa simptomat mund të paraqiten pas disa ditësh ose javësh. Shpesh pacienti harron se ka pasur lëndim të lehtë në kokë. Kronik >21 ditë.

Procedurat diagnostikuese
Skanimi TK (Tomografia e Kompjuterizuar): Standardi i artë për diagnostikim të shpejtë në gjendjet urgjente, vlerësimi i trashësisë dhe zhvendosjes së strukturave të mesme të trurit (midline shift).
MRI (Rezonanca Magnetike): Për fotografi më të detajuar në format kronike ose subakute.
Vlerësimi klinik: GCS, simptomat fokale neurologjike, pupilat.
Trajtimi i hematomës subdurale
Trajtimi konservativ, trajtimi kirurgjik?
Indikacionet për trajtimin konservativ: hematoma të vogla, të qëndrueshme pa efekt të konsiderueshëm të zhvendosjes (zakonisht trashësia <10 mm dhe midline shift <5 mm) dhe statusi neurologjik i qëndrueshëm.
Masat: monitorimi spitalor, pozicionimi i kokës 30°, optimizimi i funksioneve vitale, përmbysja e koagulopatisë, mbikëqyrja e shpeshtë neurologjike, skanime CT kontrolluese në 24-48 orë, ndonjëherë monitorimi i ICP-së.
Indikacionet për trajtimin kirurgjik – kriteret
Trashësia >10 mm ose midline shift >5 mm — evakuimi operativ.
Rënia progresive e statusit neurologjik ose (glasgow coma score *GKS) me shenjat e kompresionit ose bebëzat e çrregullta, atëherë nevojitet ndërhyrja urgjente për të evakuuar gjakderdhjen.
Vendimi përshtatet sipas moshës, komorbiditeteve dhe terapisë antikoagulante.
Teknikat kirurgjikale
Kullimi Burr Hole: më shpesh për SDH kronike.
Kraniotomia: për hematomat akute të dendura ose kur nevojitet hemostaza direkte.
Kraniektomia: për dekompresion në edemën/herniacionin e shprehur të trurit.
Parimet intraoperative: evakuimi i shpejtë, hemostaza themelore, vendosja e drenit subdural.
Kujdesi postoperativ
Kujdesi NI/INU, monitorimi i GCS/ICP, TK kontrollues në 24–48 orët e para.
Kullimi mbahet sipas gjendjes klinike dhe radiologjike (shpesh 24-72 orë), me fasha sterile të rregullta të plagëve.
Korrigjimi i koagulopatisë, profilaksia e infeksioneve sipas protokollit lokal, strategjia e individualizuar antikonvulsive, rehabilitimi i hershëm.
Vendimmarrja multidisiplinare për rivendosjen e antikoagulimit.
-Komplikimet e mundshme
Recidivi, infeksioni, epilepsia postoperative, deficitet neurologjike të përhershme, hidrocefalusi (për shkak të formave të rralla).
Konkluzioni
Diagnoza e hershme dhe trajtimi në kohë — konservator ose kirurgjikal sipas kritereve klinike dhe radiologjike — janë thelbësore për një rezultat më të mirë. Ndërhyrja kirurgjikale është e indikuar për trashësi >10 mm, midline shift >5 mm ose përkeqësimi neurologjik progresiv. Kujdesi postoperativ dhe qasja multidisiplinare janë të domosdoshme.
Këshilla të dobishme!
Udhëzuesi për shërimin në shtëpi pas operacionit të hematomës subdurale për pacientët.
Të nderuar pacientë, shërimi i suksesshëm pas operacionit në kokë varet edhe nga kujdesi juaj në shtëpi. Ju lutemi ndiqni me kujdes udhëzimet e mëposhtme:
- Kujdesi për plagën operative
Pastërtia: Mbajeni fashën të thatë dhe të pastër. Mos e prekni plagën me duar të ndyra.
Larja: Mos e lagni kokën derisa të hiqen penjtë (zakonisht 10-14 ditë pas operacionit), përveç nëse neurokirurgu juaj ju thotë ndryshe.
Kruarja: Është normale ndjenja e kruarjes derisa shërohet. Shmangni kruarjen për të parandaluar infeksionin.
- Aktiviteti fizik dhe pushimi
Lëvizja graduale: Rekomandohen shëtitje të shkurtra nëpër shtëpi. Shmangni qëndrimin shtrirë në të njëjtin pozicion për periudha të gjata kohore.
Kufizimet: Në 4-6 javët e para, ngritja e sendeve të rënda (mbi 2-3 kg), përkulja e menjëhershme e kokës poshtë dhe ushtrimet e forta fizike janë rreptësisht të ndaluara.
Gjumi: Flini me kokën pak të ngritur (përdorni dy jastëkë) për të zvogëluar çdo ënjtje.
- Të ushqyerit dhe ilaçet
Lëngjet: Pini mjaftueshëm ujë për të shmangur dehidratimin dhe kapsllëkun (sforcimi gjatë jashtëqitjes rrit presionin në kokë).
Terapia: Merrni ilaçet e përshkruara (antibiotikët, analgjetikët ose ilaçet kundër sulmeve) saktë në kohë.
E rëndësishme: Mos merrni aspirinë ose ilaçe të tjera për hollimin e gjakut pa lejen e shprehur të neurokirurgut tuaj.
- Kur të na kontaktoni MENJËHERË?
Kërkoni ndihmë mjekësore nëse vini re:
Ndryshime në plagë: Rrjedhje lëngu (qelb ose gjak), skuqje, ënjtje ose erë të pakëndshme.
Temperaturë e ngritur: Temperaturë mbi 38°C që nuk ulet.
Shenjat neurologjike: Konfuzion i ri, përgjumje nga e cila është e vështirë të zgjoheni, kokëdhimbje e fortë që nuk kalon me ilaçe.
Sulme: Shfaqja e ngërçeve në trup ose humbja e vetëdijes.
Problemet me të folurit ose shikimin: Turbullimi i papritur i shikimit ose vështirësia në shqiptimin e fjalëve. *teksti i përgjithshëm informativ për pacientët
Dr. Siratel Haliti